Koronavirusi, ndikon më shumë se pasioni, Kevin Duranti mbyll sezonin!

Është një nga yjet më të mëdhenj të kësaj epoke dhe nga ata që i jep shkëlqim arenave të NBA-së. Kevin Duranti ka bërë që liga amerikane e basketbollit të ndihet më jetime, ndërsa nuk ka qenë në parket për shkak dëmtimi, por tani do të ketë një tjetër arsye që nuk do ta lejojë të veshë uniformën. Ylli i Bruklin Netsave, pas një dëmtimi të gjatë që nga koha e Golden Stejtit, deklaron se nuk ka ndërmend të luajë këtë sezon, edhe nëse NBA-ja rifillon.

“U trondita shumë kur dola pozitiv për koronavirus, – u shpreh ai, – u bëra edhe kurioz, pasi doja të dija se çdo të thoshte kjo gjë. U qetësova dhe e përballova situatën, duke luftuar siç duhet. Gjithsesi, unë nuk kam ndërmend të luaj këtë vit, dhe këtë e kishim bërë të qartë që më parë, pavarësisht nga virusi. Doja të mos luaja për një sezon me radhë, dhe dua që të pres fillimin e sezonit tjetër”. Gjithsesi, koronavirusi duhet ta ketë bindur edhe më shumë Durantin për të mos nxituar.

Sfidanti.al