Klivlendi e ka lojë fëmijësh në Boston, shkëlqen Lebroni!

Lebron Xhejms shënoi 38 pikë dhe bëri edhe shumë mrekulli të tjera, dhe Klivlendi nuk pati asnjë vështirësi të kalonte fitues në fushën e Bostonit. Suksesi ishte 117-104 në finalen e parë të Konferencës Lindore në NBA, por dominimi i kampionëve në fuqi ishte shumë më i madh se kaq. Kavaliers po shkon, mesa duket, drejt një finaleje të mundshme ndaj Golden Stejtit, ndërsa bilanci në plej of është 9 fitore e 0 humbje, deri tani.

Xhejms kapi 9 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe vodhi dy topa, dhe Klivlendi kryesoi me diferencë edhe mbi 20 pikë. Në krah të Lebronit ishte Kevin Lov që shënoi 32 pikë dhe kapi 12 topa në tabela, ndërsa Kajri Irving nuk pati një ndeshje të madhe.  Më mirë se ai luajti Tristan Tompson që shënoi 20 pikë dhe kapi 9 topa në tabela. Epërsia e dy skuadrave më të mira të NBA-së duket qartë në plej of, por vetëm me një ndryshim. Golden Stejti ka qenë i fortë gjatë gjithë sezonit, ndërsa Klivlendi duket se i ka ruajtur të gjitha forcat për plej ofin.

Sfidanti.al