Kliçko përshëndet Meiuedherin, krahason Mak Gregorin me personazh filmi

Vladimir Kliçko e krahasoi Konor Mak Gregorin me heroin e filimit “Klubi i luftëtarëve”, ndërkohë që ky superyll i UFC-së po përgatitet që të ndeshet, këtë të shtunë (26 gusht), me legjendën e boksit profesionist, Floid Meiuedher. Irlandezi Mak Gregor e ka nxehur, së fundmi, atmosferën në prag të “ndeshjes së shekullit”, duke deklaruar se ai do të jetë i pari që do ta mundë Meiuedherin, madje do ta nxjerrë nokaut boksierin amerikan që në raundet e para! Kurse, ky i fundit, nga ana tjetër, vë në dukje se do t’i japë irlandezit një leksion të mirë për boksin.

Kliçko që, kohët e fundit, bëri të ditur se kishte vendosur që t’i varte në mur dorezat e boksit, thotë se historitë e mëdha të irlandezit Mak Gregor, së shpejti, do të marrin fund dhe se njerëzit do ta konsiderojnë atë më shumë si një personazh të filimit “Klubi i luftëtarëve” sesa si një boksier të vërtetë. “Vitin tjetër, ne do të harrojmë 90 për qind të historive të atyre deklaratave që ai (Mak Gregori) ka bërë, sidoqoftë, imazhi i tij do të mbetet në mëndjet tuaja. Imazhi Mak Gregorit flet vetë për veten. Mendoj se ai është një djalë mjaft i egër, si ai i filimit ‘Klubi i luftëtarëve’ me Bred Pitin”, deklaroi Kliçko.

Sfidanti.al