Kishte 18 vite pa fituar, Hamilton e di pse iku Rosberg

“Kjo është hera e parë që ai fiton në 18 vite, kjo është arsyeja pse nuk u befasova nga vendimi i tij për t’u tërhequr. Ai ka familje së cilës dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë, dëshiron më shumë fëmijë, dhe Formula 1 nuk ta lejon shumë këtë gjë. A do të më mungojë rivaliteti? Sigurisht”, tha Hamilton.

Piloti britanik dhe Rosberg kanë qenë shokë skuadre te Mercedes që nga viti 2013, por miqësia e tyre që ka rrënjët që kur ishin adoleshentë, kohët e fundit ishte lëkundur për shkak të ashpërsimit të luftës për titull.

Pavarësisht kësaj, Hamilton tha se Rosberg do t’i mungojë sportit në tërësi, por nuk e fshehu mërzinë që gjermani nuk i dha mundësinë e revanshit në Botërorin e 2017.

“Do të jetë shumë e çuditshme dhe e dhimbshme që nuk do ta kem shokë skuadre vitin e ardhshëm. Do t’i mungojë sportit dhe i uroj të gjitha të mirat. Revanshi? Është e turpshme që nuk më dha mundësinë për të luftuar sërish, por e respektoj vendimin e tij”, vijoi Hamilton.

Mercedes tani është në kërkim të një piloti tjetër për Botërorin e 2017-s dhe Hamilton nuk ka asnjë preferencë. “Nuk ka rëndësi kush do të vijë, do ta sfidoj sepse për këtë punë jam aty”, deklaroi piloti britanik për “Reuters”.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *