Kërri nuk pret kthimin e Kouzinsit, Golden Stejt tremb edhe kështu!

Kur ai është i frymëzuar, gjëja më e mirë është t’i japësh topin. Kevin Durant ishte kaq i sigurt në momentin e madh të Stefën Kërrit, saqë ia ktheu fjalën edhe trajnerit të tij që i sugjeronte që të provonte të gjuante. “Më mirë të gjuajë Kërri”, tha Duranti, dhe nuk u gabua.

Ylli shtatshkurtër, me numrin 30 në shpinë, shënoi plot 48 pikë, përfshi edhe 11 kosha nga largësia, duke i dhënë Golden Stejtit një fitore tepër të vështirë në fushën e Dallasit. Dueli i NBA-së përfundoi 119-114, me Kërrin që u tregua i saktë që nga fillimi deri në fund, dhe që shtoi edhe 6 topa të kapur në tabela, 5 pasime për kosh, 1 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh të rivalëve.

Jo vetëm kaq, por ai nuk e humbi asnjëherë topin gjatë 37 minutave që ishte në parket. Me 11 kosha tripikësh, Kërri mbeti vetën 3 realizime larg rekordit të NBA-së, që mbahet nga kapiteni i ekipit të tij, Klej Tompson. Ai u ndihmua nga Kevin Durant që shënoi 28 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, ndërsa Tompson shtoi 16 pikë.

Kjo formë e Kërrit e bëri të pavlefshme paraqitjen shumë të mirë të Luka Donçiçit për vendasit, që realizoi 26 pikë, ndërsa Harrison Barns shënoi 22. Ky sukses bën që Golden Stejti të ketë tani një seri prej 4 fitoresh radhazi, duke qenë në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore. Në 18 janar, pritet që në formacion të kthehet qendra DeMarkus Kouzins, dhe kjo besohet se do t’i bëjë kampionët edhe më të fortë.

Sfidanti.al