Karapaz fiton Xhiron e Italisë, Ekuadori është në festë për heroin!

Gara e dytë më e madhe e botës u mbyll me një të papritur. Riçard Karapaz u bë i pari ekuadorian që fitoi Xhiron e Italisë, dhe i dyti çiklist nga Amerika e Jugut që ia doli, pas Nairo Kintanës nga Kolumbia në 2014. Çiklisti i skuadrës Movistar la pas ata që ishin menduar si pretendentë, mbi të gjithë italiani Vinçenco Nibali.

Në moshën 26-vjeçare, i mbiquajturi “Lokomotiva” arriti fitoren e parë të madhe të karrierës, që mund ta ndihmojë për të tjera. Vitin e kaluar ai u bë i pari ekuadorian që fitonte një etapë në konkurrimin çiklistik të Italisë, duke dalë në vend të 4-ët. Ai vulosi triumfin duke u mbrojtur siç duhet në etapën e fundit, kronometër individuale në Veronë, me përfundim në Amfiteatrin e lashtë romak, ku e prisnin mijëra tifozë ekuadorianë.

“Ky është momenti më i madh i jetës sime sportive, – u shpreh kampioni, – është e vështirë që të arrij ta shpjegoj. Vuajta shumë gjatë të gjitha etapave, por ia dola të mbërrija i pari në Arenën e Veronës”. Ambiciet e tij padyshim do të jenë për Xhiron vitet e ardhme, por sidomos për garën më të lavdishme të botës, Turin e Francës.

Momenti vendimtar për Karapazin ishte fitorja në etapën e 14-të, në ngjitjet e vështira të Alpeve, sidomos në qafën e Kurmajesë, në këmbët e Malit të Bardhë. Në emisionet televizive sportive në Ekuador u brohorit me të madhe, dhe u theksua shprehja e dikurshme e Barak Obamës: Po, ne mundemi!

Dhjetëra mijë qytetarë ekuadorianë ndoqën etapën e fundit të Xhiros, dhe festuan fort fitoren e djalit të tyre, një sukses që jep sado pak shpresë në një vend që është ende larg prosperitetit, dhe në të cilin gati 20 për qind e popullsisë jeton në varfëri.

Sfidanti.al