Kanelo Alvarez: Ndeshja Meiuedher–Mek Gregor – një cirk i madh!

Ish-kundërshtari i Fllojd Meiuedherit, boksieri meksikan Kanelo Alvarez, nuk është i impresionuar nga ndeshja e ardhshme mes Meiuedherit dhe Konor Mek Gregorit që parashikohet që të sjellë fitime astronomike. “Unë mendoj se kjo ndeshje më shumë do ta dëmtojë sesa do t’i sjellë të mira boksit. E konsideroj këtë ndeshje si një përqeshje në drejtim të tifozëve të boksit. Ky është një cirk i madh, sepse kur një boksier shkon që të ndeshet në MMA (arte marciale të përziera) ose kur një luftëtar i MMA-së vjen që të bëjë boks, ky nuk është asgjë tjetër, veçse një cirk i madh. Njerëzit nuk do ta marrin seiozisht në konsideratë këtë ndeshje”, thotë Kanelo që është një yll i madh në Meksikë dhe synon fronin e Meiuedherit, të cilit do të mund t’i afrohet, nëse do të mposhtë Zhulio Cezar Cavez të Riun, më 6 maj. Sidoqoftë, lavdia e Mek Gregorit dhe ndikimi i tij në botën e sportit po rriten me hapa gjigantë. Kohët e fundit, revista “Tajm” e konsideroi atë si një nga njerëzit më me influencë në botë, ndërsa atë e lavdëroi edhe vetë Arnold Shvarcnegeri.

Sfidanti.al