Jokiç ndihmon Denverin të harrojë Klivlendin, të mundë Klipersat!

Nëse skuadra tjetër e Los Anxhelosit do të duhet të luftojë për titull, duhet të përmirësohet ndjeshëm. Klipersat humbën ndaj Denverit dhe kuptuan se nuk mjafton vetëm të fitosh derbet ndaj Lejkërsave për të qenë një fuqi e madhe në NBA. Në Arenën e Denverit, në prani të gati 20 000 spektatorëve, heroi i spektaklit ishte ai i zakonshmi, Nikola Jokiç, i vendosur të linte pas humbjen e shëmtuar ndaj Klivlendit. Vendasit fituan 114-104, dhe gjigandi serb iu afrua një tripëll dabëlli me 20 pikë, 15 topa në tabela e 6 asistë. Ai bëri dhe një vjedhje topi. Denveri pati shumë lojtarë që shënuan dhe ndihmuan mjaft si Marrej (19 pikë), Harris (15), Porter (13), Morris (12) dhe Grent e Krejg (nga 11).

Klipersat nuk ishin aty ku duhet, dhe vetëm pak prej tyre luftuan fort. Koui Leonard, kampion në fuqi i NBA-së me Toronton, shënoi 30 pikë, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe vodhi 3 topa, ndërsa Uilliams pati 26 pikë dhe Harrell 25. Shumë pak për një skuadër me pretendime kaq të larta. Në renditjen e Konferencës Perëndimore, ku Lejkërsat kryesojnë me 32 fitore e 7 humbje, Denveri është në vend të dytë me 27 fitore e 12 humbje, ndërsa Klipersat janë në vend të pestë me 27 fitore e 13 humbje.

Sfidanti.al