Jashtëtokësori Damian Lilard, 300 pikë në 6 ndeshjet e fundit për Portlendin!

Nuk ka lojtar më në formë se ai, këtë moment. Damian Lilard ishte sërish heroi i mbrëmjes në basketbollin amerikan, pasi shkëlqeu fort për të gjashtën ndeshje radhazi, duke shënuar 51 pikë. Ylli i Portlendit ishte i papërmbajtshëm në fitoren 124-107 ndaj Juta Xhazit, vetëm një ditë pasi dominoi Lejkërsat e Lebron Xhejmsit në Los Anxhelos. Në gjashtë takime pikët e tij kanë qenë 61, 47, 50, 36, 48 e tani 51, gati 300.

Në pak më shumë se 36 minuta, ai pati edhe 2 topa në tabela e 12 asistë, ndërsa përqindra e realizimit nga loja ishte shumë e lartë, gati 60 për qind, madje edhe në gjuajtjet për tri pikë. Njëzetenëntëvjeçari shkëlqeu në një mbrëmje kur Lebron Xhejms realizoi një tripëll dabëll në fitoren e Lejkërsave, dhe Koui Leonard pati 31 pikë në suksesin e Klipersave.

Portlendi po e shfrytëzon siç duhet frymëzimin e Lilardit, por po ashtu faktin se protagonisti kryesor ka në krah edhe basketbollistë të tjerë shumë të mirë si Karmelo Entoni, SiXhej Mekkallëm, Hasan Uajtsajd apo Trevor Ariza. Juta u përgjigj me lojtarët e tij më të mirë si Donovan Miçëll, që shënoi 25 pikë, apo Bojan Bogdanoviç e Majk Konli që realizuan nga 22, por kjo nuk mjaftoi përballë Lilardit.

Sidoqoftë, do të duhen edhe shumë ndeshje të tilla nga ai, që Portlendi të sigurojë të paktën një vend në plej of, pasi për momentin është i 9-ti në renditjen e Konferencës Perëndimore, me bilanc negativ, 23 fitore e 27 humbje.

Sfidanti.al