Ilia Nastase humbet vendin në “lozhën mbretërore” të Uimbëlldonit

Legjenda rumune e tenisit, Ilia Nastase, ndodhet nën hetim, për shkak të disa ofendimeve raciste më adresë të tenistes amerikane Serena Uiliams. Për këtë arsye, ai nuk do të lejohet që të ulet, këtë sezon, në “lozhen mbretërore” të Uimbëlldonit. Duke e ofenduar hapur, mbi baza raciste, tenisten nr.1 në botë, Nastase deklaroi publikisht, kohët e fundit, se duhet të pritet që të shihet se çfarë ngjyre do të ketë fëmija e Serena Uiliamsit që është shtatzënë, një ngjyrë çokollate qumështi, duke aluduar hapur lidhur me faktin se ajo është zezake, kurse bashkështorti i saj i bardhë.

Në këto kushte, kundër përgjegjësit të ekipit përfaqësues të Rumanisë në Kupën e Federatave ka nisur një procedurë hetimi, ndërkohë që u bë e ditur se ai nuk do të marrë ftesë që të ulet në “lozhën mbretërore”, nga ku ai e ka ndjekur edhe herë të tjera turneun prestigjioz të Uimëlldonit. Ky ish-tenist legjendar rumun ende nuk ka kërkuar falje për ofendimet e tij raciste, ndërsa është kritikuar ashpër nga ish-tenistë dhe tenistë të njohur të sotëm.

Sfidanti. al