Hardeni e Uestbruku ishin më shumë se Lebroni e Dejvisi; Hjustoni hedh hapin e parë!

Mund të jesh favorit për titullin, por edhe të rrezikohesh. Edhe pse Lejkërsat nuk janë në pozitat e vështira të Miluokit, që po humbet 0-3 ndaj Majemit, sërish skuadra e Lebron Xhejmsit e nisi me disfatë gjysmëfinalen e Perëndimit. Përballë në plej ofin e NBA-së ishte Hjustoni, një rival shumë i fortë edhe pse kurrë nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Pas shumë zhgënjimeve, yje të tillë si Xhejms Harden apo Rasëll Uestbruk duket se janë gati për të bërë hapin e madh, e për të pretenduar titullin.

Skuadra nga Teksasi triumfoi duke pasur epërsi, me shifrat 112-97, e duke u mbështetur tek tre prej lojtarëve bazë. Harden shënoi 36 pikë, duke qenë më i miri në parket, ndërsa bëri diçka më pak në elementët e tjerë, ku spikasin 5 asiste. Uestbruk pati 24 pikë, por edhe 9 topa në tabela e 6 asistë, ndonëse u bllokua 7 herë në gjuajtje. Erik Gordon iu bë krah me 23 pikë.

Për fatin e keq të Lejkërsave, Lebron Xhejms nuk ishte në formën më të mirë. Nuk qe e saktë nëse prej dobësisë së tij, apo nga mbulimi i fortë i kundërshtarëve. “Mbreti i basketbollit” shënoi vetëm 20 pikë, ndonëse kapi 8 topa në tabela e shërbeu 7 asistë. Entoni Dejvis ishte mirë me 25 pikë e 14 topa në tabela, plus 3 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh. Pas një fillimi të ekuilibruar, Hjustoni u ndodh në avantazh gjatë gjithë kohës, ndërsa pritet ndeshja e dytë për të kuptuar nëse skuadra nga Kalifornia do të arrijë të reagojë. Vetë Lebroni pranoi se rivalët dhanë spektakël dhe e merituan fitoren.

Sfidanti.al