Golden Stejti “fluturon”, por Toronto është sërish numri 1

Kampionia në fuqi, Golden Stejt Uorriors, vazhdon të mbetet “tmerri” i NBA-së, ndonëse nuk është ende skuadra numër 1 e sezonit. Golden Stejti triumfoi pa problem në Nju Jork, udhëhequr këtë herë nga Kevin Duranti, veçse një rival lindor po vazhdon t’i bëjë sfidë. Ky kundërshtar është Toronto Raptors që ka bilancin më të mirë të edicionit, me 6 fitore e 0 humbje.

Skuadra e vetme kanadeze e NBA-së, ia doli ndaj Dallasit të Luka Donçiçit, me shifrat 116-107 dhe tani ka nisjen më të mirë të kampionatit në histori. Ndikimin vendimtar vazhdon ta bëjë Kouhi Leonard, i ardhur nga San Antonio, që shënoi 21 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi 3 topa dhe bllokoi një gjuajtje.

Formacioni kanadez pati edhe të tjerë të shkëlqyer si Valanciunas, Louri, Grin apo Ibaka. Për Dallasin, Donçiç nuk mjaftoi me 22 pikët e tij

Golden Stejti, ndërkaq mposhti Nju Jorkn 128-100. Stefën Kërri bëri pak “pushim”, pasi shënoi “vetëm” 29 pikë, ndërsa udhëheqësi ishte Durant me 41 pikë, 9 topa në tabela e 5 asistë. Kampionët kanë 5 fitore e vetëm një humbje.

Sfidanti.al