Gjokoviçi fiton mes ulërimave: Unë nuk jam robot!

Humbi setin e parë dhe të vetëm deri tani këtë edicion të Rolan Garosit, por përfundimisht ia doli të fitonte ndeshjen. Novak Gjokoviçi triumfoi 3-1 me sete ndaj Pablo Kareno Bustës dhe arriti gjysmëfinalen në Paris, por ka shumë diskutime për shpërthimet e tij emocionale gjatë sfidës, të shoqëruara me britma të forta. “Nuk jam robot, – sqaroi numri 1 i botës, – kam ndjenja dhe kaloj përmes “tornadove” të këtyre emocioneve gjatë ndeshjeve, ndaj ndonjëherë kam nevojë që të çlirohem, ndërsa herë të tjera të jem i rezervuar dhe i mbyllur”.

Gjokoviçi fitoi, por deklaroi se nuk ishte ndjerë mirë para ndeshjes. “Fizioterapisti im u përpoq dy orë gjatë nxemjes që të më bënte gati për lojë, – tha ai, – pata dhimbje në qafë dhe në krah. Nuk është hera e parë që ndodh dhe besoj se kam kohë të mjaftueshme për ta kaluar”. Nole fitoi me rezultatin 4-6, 6-2, 6-3, 6-4, ndërsa në gjysmëfinale do të ndeshet me Cicipasin.

Sfidanti.al