Formula 1, Hamilton i përsosur në SHBA, shpreson titullin!

Është ende 26 pikë larg vendit të parë dhe garat e mbetura janë vetëm 3, por Ljuis Hamilton nuk është nga ata që e humb shpresën. Sidomos pas një fundjave të përsosur si kjo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampioni i botës në Formula 1 u rikthye tek fitorja, duke domiuar Çmimin e Madh në pistën teksane në Ostin. Triumfoi në provat zyrtare dhe kryesoi vazhdimisht duke lënë 5 sekonda prapa shokun e skuadrës tek Mercedesi, Niko Rosberg.

Rosberg, gjithsesi humbi vetëm 7 pikë pas kësaj gare, dhe do t’i mjaftonin edhe tre vende të dyta në garat e mbetura për t’u shpallur kampion për herë të parë në karrierë. Hamilton e nisi fundjavën me -33 pikë nga Rosberg, por aspak në krizë lidhur me besimin ndaj vetvetes. Ai u ndoq në Ostin nga e dashura e tij e re, kampionia amerikane e skive, Lindsi Von.

Kjo ishte fitorja e 50-të në karrierë për anglezin 30-vjeçar, i cili është vetëm 1 fitore larg francezin Alen Prost, që mban vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve. Prost mund të kalohet shpejt, siç u lanë pas Sena, Fetel apo Alonso, ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Mikael Shumaherin që mban rekordin me 91 suksese në F1.

Në Teksas, pas dy makinave Mercedes, u rendit Red Bulli i Riçardos, ndërsa Red Bulli tjetër i Verstapenit u tërhoq pasi ndaloi në momentin e gabuar për të ndërruar gomat. Nga Ferrari, vetëm Fetel përfundoi garën, gjermani në vendin e katërt pra jashtë podiumit, ndërsa “kokëkuqja” italiane vazhdon të jetë dobët. Raikonen nuk e përfundoi dot garën, ndërsa Alsonso arriti një rezultat të shkëlqyer për Meklarenin, duke dalë i pesti.