Flojd Mejuedhër, apo një kampion i madh sipas mënyrës së tij!

I lindur padyshim i veçantë, si çdo njeri tjetër, i rritur me boksin nga babai i tij kampion bote, Flojd Mejuedhër e pati të “shenjuar” fatin që në fillim. Ai do të bëhej një legjendë e këtij sporti, dhe sesa i pathyeshëm është, nuk e tregojnë vetëm 50 fitoret e 0 humbjet, por edhe mënyra sesi jetoi dhe u përgatit për duelin e fundit, atë ndaj Konor Mekgregorit. Historinë e tregon boksieri i ri, Kris Jubank i Riu (djali i një tjetër ish-kampioni të botës), i cili është stërvitur me Mejuedhërin gjatë kohës përpara ndeshjes me Mekgregorin.

“E kam parë të dilte nga një klub striptizmi në orën 5 të mëngjesit, vetëm dy javë para ndeshjes, – tregon Jubanku (në foto me amerikanin), – pastaj, kur duhej edhe një javë e gjysmë, shkoi natën në një pishinë, ku festoi, por nuk piu alkool. Duket si një ëndërr, si një përrallë! E kush mund ta bëjë këtë kaq pak ditë para ndeshjes për titull? Mejuedhëri mund ta bëjë”.

Kampioni i madh Flojd është shembulli i qartë se njeriu është kaq i veçantë, saqë secili ka mënyrën e tij të jetës dhe të përgatitjes, shpesh të pangjashme me të tjerët. Mejuedhëri është mësuar që në adoleshencë me këtë jetë, dhe ndihet mirë kështu. Njëlloj siç thuhej për legjendën tonë të futbollit, Panajot Panon, që duhej të pinte ndonjë gotë, ndryshe nuk luante mirë. Veçse, ashtu siç bën jetë nate për qejf, Mejuedhëri bën jetë nate edhe për punë. Janë të famshme stërvitjet e tij në orën 2 apo e të mëngjesit.

Sfidanti.al