Fituesi në Bahrein ishte Perez, por Mercedesi mburr Rasëllin!

Në timonin e një Rejsing Pointi (Racing Point) është tepër e vështirë të fitosh një garë, por kur këtë e bën, padyshim që ka vlerën e një titulli botëror për pilotët e Mercedesit apo Ferrarit. Sergio Perez u desh të priste deri në moshën 30-vjeçare që të fitonte Çmimin e tij të parë të Madh në karrierë, pikërisht në pistën e Sakirit. Ai garoi shkëlqyeshëm, madje duke mbetur edhe shumë prapa pas aksidentit me Sharl Lëklerkun e Ferrarit, ndonëse i ndihmuar edhe nga makinat e sigurisë.

Gjithsesi, Mercedesi po ngre në qiell pilotin e vet, Xhorxh Rasëllin, që kishte zënë vendin e Ljuis Hamiltonit. Kampioni i botës ishte me Kovid, ndërsa anglezi 22-vjeçar thuajse realizoi një mrekulli me makinën të cilën nuk e njihte deri të premten, aq sa pyeti sesi duhej ta fikte. U nis nga vendi i dytë, kaloi Botasin që në start, pastaj krijoi 8 sekonda diferencë me të, u ngatërrua nga skuadra duke hyrë dy herë në pit stop, zbriti në vendin e pestë pas Botasit. Rasëlli kaloi Botasin, pastaj Strollin dhe Okonin. Kur ishte pranë Perezit dhe do ta kishte parakaluar, atij iu shpua goma e majtë dhe u tërhoq.

“Çuna, jam shumë i dëshpëruar, – tha ai në radio, – nuk di çfarë të them. Na e hoqën dy herë fitoren nga dora. Gjithsesi, një kënaqësi e madhe për mua. Do ta kem sërish rastin, shpresoj që ta kem. Ju falenderoj”. Shefi i Mercedesit, Toto Volf, theksoi se “Xhorxhi pilotoi në mënyrë monumentale, dhe nuk do të jetë kjo përpjekja e tij e fundit për të fituar një garë, ishte vetëm fillimi i një përralle të bukur që sot nuk u realizua, mund të them se një yll i ri ka lindur”.

Sfidanti.al