Fitojnë Lejkërsat e Lebroni, por heroi i mbrëmjes është Antetokumbo

Dy prej ekipeve më të mirë të NBA-së e treguan veten mbrëmjen e fundit, dhe ata ishin Los Anxhelos Lejkërs e Miluoki Baks. Suksesi i “Liqenasve” ishte i lehtë ndaj Golden Stejtit, ndërsa sfida e Baksave kishte të bënte me Los Anxhelos Klipersat, pretendentë për titullin kampion. Në këtë të fundit, ishte Janis Antetokumbo që dominoi duke treguar se ka arritur formën e tij më të mirë. Po ashtu, skuadra është kthyer në një udhëheqëse në Konferencën Lindore. Suksesi ishte 105-100, ndërsa Janis shënoi 36 pikë, kapi 14 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi 1 top e bllokoi 4 gjuajtje. Ai fitoi duelin me yllin mik, Kauai Leonard që shënoi 25 pikë e kapi 9 topa në tabela. Miluoki është në vend të tretë në Lindje, por vetëm me një humbje më shumë se Filadelfia.

Lejkërsat ndërkaq triumfuan thellë ndaj Golden Stejtit, 117-91. Lebron Xhejms sërish e ruajti veten dhe ia la barrën shokëve të skuadrës, duke u mjaftuar më shumë me rolin e tij udhëheqës në fushë. Superylli 36-vjeçar shënoi vetëm 19 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, duke pasur edhe 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Entoni Dejvis nuk ishte sërish, por Lejkërsat patën shumë lojtarë që u dalluan si Morris, Shrëder, Karuzo, Kuzma apo Horton-Taker. Për Golden Stejtin, Stefën Kërri luajti vetëm 26 minuta, duke shënuar 16 pikë, po ashtu me 4 topa në tabela, 7 asistë e 3 vjedhje topi. Lejkërsat janë në vend të dytë në Perëndim me 24 fitore e 11 humbje, të lënë pas vetëm nga Juta Xhazi.

Sfidanti.al