Fabio Aru zgjon mallin e Fausto Kopit, më në fund një italian i madh në Tur!

Italia kishte kohë që ishte zhdukur nga harta e Turit të Francës kur, më në fund, e riktheu Vinçenco Nibali. Vendi i madh i çiklizmit shpreson që të ketë gjetur një tjetër përfaqësues të denjë për t’u krenuar në Francë, pasi Fabio Aru fitoi etapën e pestë të edicionit të këtij viti, dhe etapën e parë me ngjitje malore. Çiklisti nga Sardenja, 27-vjeçar, nuk e fitoi dot Fanelën e Verdhë, atë e veshi kampioni në fuqi Kris Frum, por fitoi me autoritet dhe ndodhet vetëm 14 sekonda larg kreut.

I mbiquajtur “Engjëlli i vogël”, çiklisti i skuadrës Astana (ashtu si Nibali), po zgjon mallin e Fausto Kopit, Xhino Bartalit apo Marko Pantanit. Me shtatlartësi 1.83 metra dhe peshë 66 kg, ai ka përmasat e duhura për të fituar. Shpërthimin e pati dy vjet më parë kur fitoi Vueltën e Spanjës 2015, dhe doli i dyti në Xhiro 2015, ndërsa këtë vit u shpall kampion i Italisë.

Ashtu si Pantani, Aru cilësohet i pathyeshëm në malore. Të shohim nëse diferenca do të jetë aq e madhe sa të përballojë rregullsinë e jashtëzakonshme të Kris Frumit, aftësinë e anglezit në kronometër dhe skuadrën e tij shumë të fortë, Skaj.

Sfidanti.al