F1, Hamilton fiton në Brazil, por Red Bulli shpëton Rosbergun

Ljuis Hamilton e fitoi edhe një garë tjetër, duke arritur në 52 suksese në karrierë, por më pranë titullit botëror është Niko Rosberg. Dy pilotët e Mercedesit ishin protagonistë në pistën e kthyer në pishinë në Interlagos, në Çmimin e Madh të Brazilit, por më shumë e meritoi protagonizmin skuadra e Red Bullit. Maks Verstapen sapo e kishte kaluar Rosbergun duke përdorur goma shiu, por pak më vonë drejtuesit e thirrën holandezin në ndalesë për të vendosur goma të ndërmjetme. Kjo bëri që kryesuesi i Botërorit të merrte frymë dhe të thoshte në radio “vendi i dytë do të thotë lavdi”.
Rosberg ka 12 pikë më shumë sesa Hamilton ku mbetet vetëm gara e fundit, ajo në Abu Dabi në 27 nëntor, dhe i mafton vendi i tretë për të fituar titullin e parë në karrierë. Nëse Verstapen do ta kishte lënë prapa, gjermani do të kishte vetëm 9 pikë më shumë sesa anglezi, ndaj do t’i duhej patjetër vendi i dytë. Mbetet finalja për të përcaktuar nëse Rosberg do ta përballojë presionin, apo Hamilton do të arrijë të fitojë titullin e tretë radhazi, dhe të katërtin në karrierë. Ndërkaq, ai la prapa Alen Prostin në renditjen e fitoreve për të gjitha kohët, duke pasur 52 ndaj 51 të francezit. Vetëm Shumaher është tepër larg me 91.
B. Kuka