Entoni Dejvis si Majkëll Xhordan, askush si ai në 30 vjet!

Nisi nën shenjën e Lebron Xhejmsit, por NBA ka edhe kampionë të tjerë. Jo vetëm Kërrin, Durantin apo Uestbrukun, por edhe “një farë” Entoni Dejvis. Ylli i Nju Orlinsit pati një nga ato që quhen “mbrëmje të karrierës”, ndonëse për fat të keq doli nga fusha i humbur. E kush? Ai! Njeriu që shënoi 50 pikë, diçka që nuk ishte parë në ndeshjen e parë të sezonit që nga 1989-ta kur një tjetër “një farë” Majkëll Xhordan, realizoi 54 pikë.

Dejvis gjithsesi nuk u mjaftua vetëm me pikët, edhe pse vetëm me ato do të ishte i madh. U duk sikur ai e formoi i vetëm skuadrën, duke kapur 16 topa në tabela, duke dhënë 5 asistë, duke u rrëmbyer 7 topa kundërshtarëve dhe duke bërë 4 “kapuça”, pra duke bllokuar 4 gjuajtje. Me një fjalë, një i çmendur i vërtetë.

Çmenduria e supertalentit nuk mjaftoi përballë një Denveri thuajse europian. Trajneri i miqve, Maloun, hodhi në fushë njëkohësisht shtatlartët Jusuf Nurkiç (Bosnjë, 2.13 metra), Nikola Jokiç (Serbi, 2.11 metra) e Danilo Galinari (Itali, 2.08 metra) dhe kjo bëri punë. Denver luajti më mirë si skuadër me 23 pikët e Nurkiçit, 22 të Bartonit e 15 të Galinarit, duke fituar 105-100.

B. Kuka