Edhe në Teksas është ai, Hamilton fiton pole positionin

Ljuis Hamilton fitoi një avantazh jo të vogël për garën në Ostin të SHBA në Formula 1 ku mund të sigurojë matematikisht edhe titullin e pestë botëror. Piloti britanik i Mercedes do të niset i parë në startin e garës pasi fitoi pole positionin e 81 të tij në pistën teksane që e përshkoi me 1 minutë 32 sekonda e 237 të mijtat. Këtë radhë Hamilton e pati shumë të vështirë pasi Ferrari, ndryshe nga sa kishim parë në garat e fundit u shfaq mjaft kompetitive.

Sebastian Fetel shënoi kohën e dytë më të mirë me vetëm 61 të mijtat më shumë, por gjermani i Ferrarit do të nisë garën nga vendi i pestë pas penalizimit me 3 pozicione. Kështu që do t’i takojë Kimi Raikonen që të nisë garën përkrah britanikut me finlandezin që do të kërkojë t’i prishe festën Hamiltonit.

Ai që do të niset nga vendi i tretë në garë është pikërisht Valteri botas dhe menjëherë pas tij është Daniel Riçardo. I pafat ishte Maks Vershtapen që nuk doli në pistë fare në sesionin e dytë të provave kualifikuese për shkak të problemeve me Red Bullin e tij, me holandezin që do të jetë i detyruar të nisë garën nga vendi i 15.

sfidanti.al