E ardhmja e Hamiltonit? Piloti: Atë e kam vetëm unë në dorë!

Mund ta kthesh nga cilado anë që dëshiron, por sërish mund të mos ia gjesh kuptimin. Gjithsesi, mediat duan ngjarje të cilat edhe guxojnë t’i krijojnë vetë. Një pyetje iu bë Ljuis Hamiltonit, ndërsa anglezi i Formula 1 mbërriti në Baku për Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, këtë fundjavë. Niko Rosberg u tërhoq në fund të sezonit të kaluar, ju kur do ta bëni, ishte pyetja.

“Fati im është në duart e mia, pra edhe e ardhmja, – tha tri herë kampioni i botës, – unë mund të them “mjaft” edhe në fund të vitit, nëse dëshiroj. A do të kem ndoshta një emër më të madh, nëse do të tërhiqem pas 5 vitesh? Kush mund ta thotë?”

Hamilton shtoi se “nuk dëshiroj të bëj plane, sepse nuk e di se çdo të ndodhë në të ardhmen, nuk e di se çfarë do të bëj”. Për momentin, piloti i Mercedesit ka vetëm një synim, të arrijë një tjetër fitore dhe të shkurtojë më tej diferencën prej 12 pikësh që e ndan nga kryesuesi i Botërorit, Sebastian Fetel i Ferrarit.

Sfidanti.al