Dramë në dy finalet e NBA-së, Hjuston godet në fushën e kampionëve!

Drama po arrin maksimumin. Dy finalet e Konferencave në NBA janë në barazim pas katër ndeshjeve të para, dhe përfundimi i tyre është mister i plotë. Mbrëmjen e fundit i takoi Hjustonit të përmbyste një parashikim dhe të triumfonte në fushën e kampionëve të Golden Stejtit, për të barazuar serinë në Perëndim me shifrat 2-2.
Përballja ishte me emocione të forta dhe përfundoi 95-92 për skuadrën më të mirë të fazës së rregullt këtë sezon. Rokitsi u udhëhoq nga dyshja e zakonshme Xhejms Harden-Kris Pol. Harden realizoi 30 pikë, ndërsa Pol shtoi 27, ndërsa kontribut të rëndësishëm dhanë Klint Kapela dhe Erik Gordon. Harden pati edhe 4 topa në tabela, 4 asistë, 3 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh, ndërsa Hjustoni pati nerva të forta në fund për të fituar me shifra të ngushta.
Për vendasit nuk munguan dy yjet e zakonshëm. Stefën Kërri shënoi 28 pikë, ndërsa Kevin Durant pati 27 pikë e 12 topa në tabela. Drejmond Grin nuk e la në baltë skuadrën, me 11 pikë, 13 topa në tabela e 8 asistë, por kapiteni Klej Tompson nuk ishte në nivelin e përhershëm. Golden Stejti bëri gabime jo karakteristike në fund dhe këto i kushtuan humbjen, ndërsa Hjustoni rifitoi epërsinë e faktorit fushë, pra mund të quhet favorit për t’u kualifikuar për në finalen e madhe të NBA-së.
Barazim 2-2 edhe në serinë finale të Konferencës Lindore. Lebron Xhejms realizoi një tjetër paraqitje madhështore duke mos lejuar që Klivlendi të humbiste në shtëpi ndaj Bostonit. Me 44 pikë të shënuara, ai ndihmoi nënkampionët në fuqi që të fitonin 111-102. Bostoni mbetet me epërsinë e faktorit fushë dhe ndeshjen e radhës do ta ketë në Arenën e tij.
Sfidanti.al