Doni Fjurin të shfaqet në ring? Cili do më shumë se unë dhe Xhoshua

“Perëndia” momentale jo vetëm e boksit britanik, por edhe atij evropian, Edi Hern, zbuloi planet e ndeshjeve të “vartësit” të tij më popullor në botë, Entoni Xhoshua, të shpallur kampion bote në peshën e rëndë, mbasi mundi, më 29 prill, në “Uembli”, para 90 000 shikuesve, boksierin ukrainas, Vladimir Kliçko. Ky menaxher i ri, brenda një kohe të shkurtër, e ka gjallëruar plotësisht “skenën”, krejtësisht të fjetur të boksit britanik, ndërsa ai realizoi “marrëveshjen e jetës”, duke organizuar “ndeshjen e shekullit” mes Xhoshuas dhe Kliçkos, ndërkohë që fitorja e “vartësit” të tij i solli atij mundësinë e madhe që ai të vazhdojë të organizojë ndeshje të mëdha të mëtejshme të kampionit të ri aktual të botës në tre versione të boksit profesionist. Si fillim, Edi Hern, do të përpiqet që të aktivizojë klauzolën e marrëveshjes që lejon një ndeshje revansh mes Xhoshuas dhe Kliçkos. Kjo ndeshje, po të pranojë Kliçko, do të mund të zhvillohet në verë ose vjeshtë.

Sidoqoftë, ai ka edhe një plan tjetër interesant, një ndeshje për titullin që i mungon, tani, Xhoshuas dhe që, momentalisht, është në pronësi të Diontej Valderit, ndërkohë që sytë duhet t’i mbajë edhe te Tajson Fjuri që do të mund të jetë përplasja “më e rëndë” në historinë e boksit të Britanisë së Madhe. Por, fillimisht, Fjurit do t’i duhet që “të rregullojë punët e veta”. “Askush nuk do më shumë se unë dhe Xhoshua që Fjuri të kthehet në ring. Ndeshja mes atyre të dyve do të mund të jetë ndeshja më e madhe në historinë e boksit”, tha ai, por, duke mos munguar që të bëjë edhe disa komente jo fort pozitive lidhur me këtë boksier problematik britanik. “Ai është ende larg boksit të vërtetë. Ai ka nevojë për disa kohë që të kthehet”, thotë Herni. Sidoqoftë, tani për tani, po pritet përgjigja e Kliçkos.

Sfidanti.al