Donçiç fiton duelin me Hardenin, Dallasi triumfon në Hjuston!

Ende nuk cilësohet si lojtari më i mirë i NBA-së, por me moshën 20-vjeçare pritet të jetë shpejt i tillë. Luka Donçiç dha një tjetër provë të madhe se basketbolli amerikan do të ketë punë me të, pasi triumfoi në fushën e Hjustonit të fortë, duke bërë të vetin duelin e madh me Xhejms Hardenin. Ishin përballë dy shënuesit më të mirë të kampionatit, dhe supertalenti slloven ishte numri 1 me 41 pikë, të cilave u shtoi 10 asistë dhe 6 topa në tabela. Padyshim që bëri gabime, por nuk hoqi dorë deri në fund, dhe Dallasi triumfoi 137-123.

Harden realizoi 32 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 9 topa në tabela e 11 asistë, ndërsa u ndihmua nga Rasëll Uestbruk me 27 pikë, dhe Klint Kapela me 21 pikë e 22 topa në tabela. Në krah të Donçiçit ishin Tim Hardëuej me 31 pikë, si dhe Kristaps Porzingis me 23 pikë e 13 topa në tabela. Fitorja bëri që Dallasi të ketë 11 suksese e 3 humbje, në vend të tretë në Perëndim, pra pretendentë për Konferencën.

Sfidanti.al