Bota në këmbët e Polonisë, volejbolli i burrave flet vetëm polonisht!

Për trofeun ishte e njëjta finale, me të njëjtin përfundim. Brazili vërtet mbërriti për herë të pestë radhazi në ndeshjen përfundimtare të kampionatit botëror të volejbollit për meshkuj, por për të dytën herë në seri u detyrua të pranonte humbjen. Titulli botëror ishte sërish për Poloninë, i treti në histori dhe i dyti njëri pas tjetrit.

Në Arenën e mrekullueshme të Torinos, në prani të mbi 12 000 spektatorëve, polakët treguan superioritetin e tyre, duke fituar 3-0 me sete, veçse rivaliteti ishte shumë i madh. Rezultati i seteve ishte 28-26, 25-20, 25-23, në një ndeshje që zgjati 1 orë e 37 minuta. Polonia e tregoi qartë traditën e saj, dhe mbrojti një histori mbi 60-vjeçare të volejbollit në nivelet më të larta, që kur arriti për herë të parë në gjysmëfinale të Botërorit në 1956.

Ajo pati një skuadër tepër të fortë me Novakovskin, Konarskin, Shalpukun apo Kubiakun, por mbi të gjithë ishte Bartosh Kurek, që u shpall lojtari më i mirë i Botërorit. Tridhjetëvjeçari, 2.07 metra shtatlartë, ishte edhe shënuesi më i mirë i finales me 24 pikë, si dhe i gjithë kampionatit me 171. Me këtë sukses, Polonia u bashkua me Brazilin dhe Italinë si skuadrat që e kanë fituar tri herë Botërorin, ndërsa e shkëputur mbetet Rusia me 6 tituj, veçse që të gjithë fituar në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Sfidanti.al