Bostoni shmang humbjen e tretë ndaj Majemit, por e ka një problem!

Flasim për klubin më të shquar në historinë e NBA-së, me më shumë tituj se gjithë të tjerët, edhe se Lejkërsat. Gjithë publiku i basketbollit në SHBA do të donte shumë të shikonte një Lejkërs-Boston në finalen e madhe, e ndoshta kjo gjë mund të ndodhë. Boston Sëlltiks fitoi ndeshjen e tretë finale në Konferencën Lindore duke ngushtuar në 1-2 rezultatin ndaj Majemit. Shifrat ishin 117-106 dhe fituesit përballuan një reagim të fuqishëm të Majemit në pjesën e katërt. Natyrisht, skuadra nga Jugu është ende favorite, ndonëse nuk dihet sesa, kurse për atë të Veriut ka një problem. Bostoni bazohet kryesisht tek pesë lojtarët titullarë, të cilët shënojnë shumicën e pikëve. Braun pati 26 pikë, Tejtëm 25, Uolker 21 e Smart 20. Nga lojtarët e stolit pati vetëm 17 pikë, diçka që mund të mos mjaftojë në ndeshjet e tjera ndaj Majemit, apo në një finale të mundshme ndaj Lejkërsave të Lebron Xhejmsit dhe Entoni Dejvisit.

Sfidanti.al