Australian Open është vrasësi i të mëdhenjve, mbeten Federer e Nadal!

Kishte mbetur vetëm një pretendent i madh në këtë turne. Shpejt, që pas raundit të katërt, “Australian Open” është bërë krejt i paparashikueshëm. Andi Marrej, numri 1 i botës, u eleminua nga një tenist që duhet të quhet shumë pak i njohur, gjermani me origjinë ruse Misha Zverev. Skocezi u kthye në shtëpi pas 4 seteve, duke bërë të njëjtën rrugë si fituesi në fuqi i Grand Slemit, Novak Gjokoviç.

Në fushën qendrore të kompleksit “Rod Lejvër” të Melburnit, drama vazhdoi plot 3 orë e 34 minuta, duke u fituar nga 29-vjeçari, i cili as nuk shpresonte ta realizonte një mrekulli të tillë. Numri 50 i botës ia doli me rezultatin e seteve, 7-5, 5-7, 6-2, 6-4, dhe bëri për vete publikun me lojën e tij me dorën e majtë. Ishte hera e parë në 10 vjet, që dy numrat e parë të renditjes botërore u larguan kaq shpejt nga Australian Openi. Tashmë, në turneun e Çmimit të Madh kanë mbetur vetëm tre tenistë që kanë fituar më parë një Grand Slem.

Këta janë Rozher Federer, Rafael Nadal dhe Sten Vavrinka. Nuk dihet cili prej tyre mund të përfitojë, por Federer shpreson të jetë hera e tij dhe të fitojë titullin e 18-të të këtij lloji, për të thyer më tek rekordin botëror që e mban vetë. Për Marrejn, ky ishte një kthim i befasishëm të realitet. Britaniku kuptoi sesa e vështirë është të mbetesh në krye, pas realizimit të një viti të madh 2016.