Antetokumpo shkëlqen, por Lebroni fiton në spektaklin pa garë të Ndeshjes së Yjeve

Ta quajmë më mirë thjesht një shfaqje? E tillë duket gjithnjë e më shumë Ndeshja e Yjeve në NBA, ku mbrojtjet nuk ekzistojnë, dhe luhet vetëm sipas parimit “kush bën pozën më të bukur”, pra kush shënon koshin më spektakolar. Në të njëjtën tendencë, që po theksohet gjithnjë e më shumë vitet e fundit, edhe Parada e yjeve e vitit 2019 luajtur në Arenën e Sharlotës dhe fituar nga Skuadra e Lebron Xhejmsit.

U shënuan plot 342 pikë, me rezultatin 178-164, ndërsa përballë ekipit të Lebronit, ishte ai i Janis Antetokumpos. Kjo ishte finalja e tretë me më shumë pikë në histori, pas atyre të viteve 2017 e 2016. Nuk mund të flitej për garë të vërtetë, edhe pse të dyja formacionet u përpoqën të fitonin.

Janis Antetokumpo, edhe pse ekipi i tij humbi, ishte shënuesi më i mirë me 38 pikë, duke pasur edhe 11 topa në tabela dhe 5 asiste. Lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall Kevin Durant i skuadrës së Lebronit, që shënoi 31 pikë, 7 topa në tabela, 2 asistë, 1 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjeje. Vetë Xhejmsi shënoi 19 pikë në pak më shumë se 26 minuta në parket.

Kjo ishte Ndeshja e dytë e Yjeve me format të ndryshuar, tashmë me ekipet që marrin emrat e kapitenëve të Lindjes dhe të Perëndimit, ndërsa më parë luhej mes skuadrës së yjeve të Konferencës Lindore dhe asaj Perëndimore.

Sfidanti.al