Antetokumbo fiton për kauzën e tij dhe për kualifikimin e Miluokit!

Ishin ekipi që nisën bojkotin dhe u bënë skuadra që u rikthye e para në fushë. Miluoki Baks realizoi ndeshjen më të mirë të mundshme, pas disa ditëve të tensionuara për shkak të luftës ndaj racizmit, duke triumfuar ndaj Orlando Mexhikut e duke arritur kualifikimin për në gjysmëfinale të Konferencës Lindore në NBA. Rezultati ishte 118-104 dhe skuadra më e mirë e sezonit të rregullt u udhëhoq nga i zakonshmi Janis Antetokumbo që shënoi 28 pikë e kapi 17 topa në tabela, ndërsa ishte në parket vetëm 28 minuta e pak më shumë. Miluoki bëri rotacion gjatë gjithë ndeshjes për të ruajtur forcat për më vonë, dhe Midëllton shënoi 21 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 7 asistë në 33 minuta e gjysmë, Bruk Lopez pati 16 pikë, Bledsou 10 pikë e 8 asistë, Uilliams 12 pikë e Hill 11. Për Orlandon nuk mund të mjaftonte i përhershmi Nikola Vuçeviç, me malazezin që pati 22 pikë, 15 topa në tabela e 5 asistë në 39.5 minuta.

Sfidanti.al