Zoti është kujdesur për Lekbellon, ne për pazaret e lojës!

Nuk ka fat më ironik për një futbollist, i cili edhe kur i ka patur muskujt të fortë dhe plot energji  kishte “jetuar” në fushë më shumë me kokë sesa me këmbë, më shumë me inteligjencë sesa me forcën e muskujve. Ndaj, kur dëgjon se Artur Lekbello vuan nga një sëmundje e rallë, tejet ironike për një ish- sportist  “pamjaftueshmëri muskujsh” , duket si një ndëshkim i pamerituar. “Tushja”, një xhentilmen në fushë, edhe kur zanati i mbrojtësit diktonte më shumë luftë,  dukej sikur në jetën përtej fushës vetëm me shëndetin nuk kishte arsye për të luajtur ndeshjen fatale.. Një ndeshje që Lekbello, e ka përballuar i vetëm deri tani, saqë flitej nën zë për një sëmundje misterioze, për të cilën kishim frikë të besonim, edhe sepse ndjeheshim fajtor me të. Në këto momente, edhe ata që nuk kanë fuqi ekonomike për ta ndihmuar, të paktën duhet të ndihmojnë ndërgjegjen e tyre  kur e thirrëm me lutje  nga Greqia si “njeri të familjes” dhe e tradhëtuam sa hap e mbyll sytë. Në futbollin që nuk ka mirënjohje, Tushja doli i humbur, tani na jepet shansi ta shndërrojmë në fitues, edhe pse me vonesë.. Një djalosh që na e shton dozën e turpit, kur tregon sekretin e madh të jetës: “ Kam një sëmundje, ku maksimalja që mund të jetosh është 3 vjet, por falë Zotit unë kam arritur në vitin e pestë”.

5 vite, një turp i gjatë kohor, i cili  mund të ishte edhe më shumë nëse do të vazhdonim të mbyllnim veshët për lajmet që vinin nga Greqia. Tamam tamam nga Selaniku, ngaqë nuk jemi të aftë të shpëtojmë jetë, sepse në këto momente “tragjike” për kampionatin,  milionat harxhohen për të “vdekur” lojën, për të përbaltur njëri-tjetrin,  duke mbajtur me pahir, me paterica, një sistem që e ka të fundit vlerën njerëzore. Se jemi të tillë,  i falëm vetes tradhëtinë ndaj Lekbellos herën e parë. Një tradhëti e bukur në llojin tonë, e denjë për karakterin e dobët, por Zoti, ai që u kujdes 5 vite i vetëm për të, do të na dënojë nëse nuk hapim zemrën, më pas portofolin. Ky është momenti për të dëshmuar se jeta vlen më shumë se pazaret tona me top. Nëse nuk e ndalim këtë sëmundjen e Turit “pamjftueshmëri muskujsh”, do të dëshmonim se pacientët jemi ne që vuajmë nga  ..pamjatfueshmëri morale .

Gëzim Sinemati    

Botuar ne gazeten Panorama Sport