Vallë.. ç‘po kurdiset? Pse  po lodhet Kombëtarja para Lituanisë..

Kushedi ku fle lepuri, që po lodhen të gjithë para ndeshjes me Lituaninë! Edhe vetë trajneri Reja, edhe pse fliste për lodhjen e futbollistëve të tij, nuk i shpëtoi dot ..psikozës së lodhjes gjatë konferencës para ndeshjes. Tamam në prag të ndeshjes me Lituaninë, nisi muzika e “dhomës kuqezi”, ku flitet për frikën e madhe që na shfaqet para ndeshjeve me ekipet e vogla.  Dhe për ta bërë sa më të vërtetë këtë psikozë djallëzore, që kërkon të bëhet mburojë për blofet tona, ka plasur “stafeta e lodhjes” në ekipin tonë. Futbollistët tanë, ata që  premtuan fitoren me Bjellorsinë dhe e mbajtën fjalën, duket se po dorëzohen para Lituanisë së “vogël”.

Trajneri Reja thotë që Cikalleshi qënka lodhur dhe ka probleme fizike! Siç duket, goli na qënka dukur i bukur ndaj Bjellorusisë, por i paska marrë “shpirtin” sulmuesit. Qënkan lodhur shumë edhe Bare edhe Abrashi qysh në ndeshjen e parë, ku luajtëm vetëm 45 minuta dhe dikush na paska bërë magji..na ka lodhur shumë! Duket i lodhur edhe vetë trajneri Reja kur thotë se “ do të jetë ndeshje e vështirë sepse Lituania luan mirë me topin, por edhe unë do të bëj disa ndryshime..”  Sido që ta ketë emrin trajneri De Biazi apo Reja, në ndeshjet me të “voglat”, ku gjoja kemi edhe qimen e derrit,  ne “zbulojmë” futbollistë të rinj  të cileve u kemi dhënë fjalën dhe vazhdojmë të mbajmë në “qelinë kuqezi” Odhise Roshin, sulmuesin që na prish punë në të tilla ndeshje , për të cilat heronjtë nuk na duhen në anën tonë …

Sfidanti.al