“Unë që po ju shkruaj”… Duka injoron Ligën e bojkotit

Më në fund edhe vetë Dukës i erdhi në majë të hundës me skemën e bojkotit të kampionatit, që mjafton të kishe pak vëmendje dhe e kuptoje menjëherë që nuk funksionoi sipas parashikimit. Në fakt, organizimi i bojkotit në emër të Ligës, me qëllimin për t’u dukur si një ndërmarrje e paanëshme, nuk ishte një ide edhe aq inteligjent. Ishte vetë Duka që i ftoi presidentët, për të mbajtur mbledhjen e Ligës në Minsk dhe më pas u zyrtarizua bojkoti, madje çdo ditë që kalonte, tonet u bënë gjithnjë e më të ashpra, aq sa nuk mund të flitej më për “fair play”. Futbolli braktisi fushën dhe u pozicionua në llogore dhe për të dalë nga kanalet kërkonte në tavolinë vetëm kryeministrin. Por në fund shefi u lodh nga të mandatuarit, qoftë edhe nga ish-deputeti Koço, i cili takimin medeomos me Edi Ramën e ka si një histori të ndërprerë dashurie, diku në një seri, si në telenovelat turke.

“Unë që po ju shkruaj jam një mik që ju do të mirën”… Presidenti i FSHF-së i dërgoi të premten në mbrëmje një letër të hapur kryeministrit dhe ky po që është Duka i vërtetë… rrësht për rresht. Gjatë letrës së tij që kishte shumë oshilacione emocionale, presidenti nuk denjoi ta përmendë asnjëherë Ligën, organizatorët e “pavarur” të grevës që solli bojkotin. Atëherë kjo nuk ka se si të jetë etike, qoftë edhe për faktin, se frika nga ultimatum i Minskut, tregon se nuk ishte tjetër, veçse një mbrëmje Hallouini, kur fëmijët të trokasin në derë për të mbledhur karamele.

Ndërkohë që në fillim, letra ishte konceptuar një sulm frontal, siç mund të jetë nisja e një ndeshje, kur përballë kemi Andorën, ku përmendeshin burokratë dhe të paaftë, të cilët janë zgjedhur si bashkëpunëtorë nga kryeministri, por as që i përshtaten fare staturës së tij. “Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Financave, nuk u reflektua asnjëherë një vullnet pozitiv. Për më tepër, përmes një oponence mediokër, konstatuam një mungesë vizioni për të ardhmen e sportit shqiptar. Në këtë oponencë, nuk pati një studim të mirëfilltë të fizibilitetit të përfitimeve, që këto ndryshime do të sillnin”. Ndërsa fundi i letrës është shkruar sipas variantit patriarkal të Lek Dukagjinit dhe është vërtetë e trishtueshme në një shoqëri moderne. “I nderuar z. Kryeministër! Kjo është një çështje vullneti dhe jo takimesh të tejzgjatura që nuk sjellin asnjë produkt. Varet vetëm nga JU, nga pushteti JUAJ. Prandaj ju bëj thirrje miqësisht, ushtrojeni pushtetin Tuaj në të mirë të futbollit e të ndërprerjes së bojkotit”.

Por ne për dreq jemi në demokraci dhe aspirojmë të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Dhe në këtë sistem, “varet vetëm nga Ju” dhe “pushteti Juaj”, nuk janë shprehje të përshtatshme. Madje edhe sikur të jetë e vërtetë që funksionon pikërisht kështu, nuk mund të thuhen në publik, nëpërmjet një letre të hapur zyrtare. Në Tiranë ka qendrën një pushtet që presupozohet të jetë kolegjial, ndërsa në Minsk po, me pak redaktime, një letër e tillë mund të bëj përshtypje.

I Juaji me respekt… nga dikush që nuk jeton në Minsk