Trajner futbolli në Shqipëri? Do të thotë që nuk ke asnjë profesion…

Prej 30 vjetësh funksionon po kështu, por së fundi gjithnjë e më shumë është bërë evident fakti, që të bësh trajnerin në futbollin shqiptar do të thotë që nuk ke asnjë profesion. Nuk ekziston pandemi apo sakrificë që të zbusë shpirtin e presidentëve, të cilëve u mjaftojnë vetëm tre minuta për të fshitë emrin e kujdo, duke ia shpërfillur çdo gërmë, ndërsa karriera e njerëzve të pankinave as që u intereson fare. Nevil Dede nuk do të jetë më trajner i Tiranës dhe motivacioni i shkarkimit duket shumë banal. Sipas presidentit Halili, ngjarja nuk ka të bëjë me të birin që mbeti jashtë formacionit në ndeshjen ndaj Laçit, por në listën e titullarëve, në vend të Kukës duhet të ishte Danso. Dhe me këtë nervozizëm shkaktoi disa dëme njëherësh. Fillimisht ja theu zemrën atij djalit të ri që sapo ka filluar të prezantohet me futbollin profesionist, pasi e hoqi nga lista kur trajneri po i besonte një vend titullari, në një ndeshje shumë të rëndësishme. E detyroi Nevilin të largohet që përpara se të fillonte përballja me Laçin, si dhe bëri të përflitet I biri Grenti në të gjithë Tiranën. Ndërsa përfundimi i kësaj rrëmuje të sajuar në një moment fare të papërshtatshëm do të ishte në sinkron me sjelljen e titullarit të klubit: Tirana e humbi përballjen e rradhës dhe tani ndodhet 16 pikë larg Vllaznisë kryesuese.

Por në këtë “valsin” e pankinave dëmi që shkaktohet dhe që nuk i intereson askujt që të ndërhyjë, nuk është vetëm moral. Nevil Dede u thërrit tek Tirana me pompozitet, për t’iu besuar një projekt i madh dhe afatgjatë, ndërkohë që i zuri vendin Emanuel Egbosë, një kampioni të larguar me po të njëjtin brutalitet. Dhe për të mbërritur në krye të bardhebluve, ku ka fituar tituj edhe si futbollist, u desh të ndërpriste një kontratë me FSHF-në, ku drejtonte ekipin tonë përfaqësues U-19. Pra nuk ka më as projekt, por as edhe një punë për të qenë i angazhuar dhe për të ndihmuar familjen. Kështu që iniciativa për të zgjedhur nga të ardhurit e rinj pikërisht Kukën, rezultoi fatale për trajnerin.

Ndërsa tek Kukësi, Rahman Hallaçin e zëvendësuan me Mirel Josën, pikërisht kur skuadra filloi të fitonte dhe klubi i garantoi publikisht besimin se do ta mbështeste në drejtimin e skuadrës. Por ironia vazhdon, sepse pas falenderimeve për përkushtimin, Hallaçin e rikthejnë sërish si ndihmës trajner, tashmë duke i dhënë një goditje të madhe morale. Ndërkohë që askujt nuk i intereson personaliteti i tij i cënuar, apo edhe i Dedes, të cilit morën guximin t’i tregonin se si mund të bëhej sëkuadra pak më sulmuese.