Tirana, presidenti Duka thotë se “ ka jetë një kategori më poshtë”

Ironi e fatit apo fat i kurdisur keqazi nga trillet ? Tirana do të luajë sot ndeshjen e jetës tamam kundër Laçit, një ekipi që nuk do ta dëshironte as për një ndeshje miqësore,pale  kur flitet për ‘jetë apo për vdekje’ në Superligë. Sipas zakonit, po të besosh tek shifrat dhe tek ato që kanë ndodhur në fushë, Tirana ka “vrarë” veten sistematikisht në ndeshjet kundër tyre.  Por, kjo ndeshje është krejt ndryshe, sidomos pas atyre që kanë ndodhur në këtë sezon, ngjarje që shkojnë edhe përtej botës së  shifrave e bilanceve të ekipeve.  Laçi dhe Tirana do të përballen deri aty ku lejon limiti i zemërimit sportiv , sidomos kur kujton se, pak kohë më parë, ishin presidentët e tyre që u konfliktuan në një përballje të rrezikshme fizike, një ngjarje që sipas modës së Superligës u “harrua” me sukses, ngaqë butonin e kujtesës dhe harresës e komandojnë me sy mbyllur..

Një regji që kujdeset me marifet për të krijuar bindjen se busulla e fatit është në dorë të ekipeve dhe jo në “dorën e ngrohtë”, e cila  shtyp butonin e ashensorit për ata që do të ngjiten dhe do të zbresin në katin me minus. Si është shkruar  fati i Tiranës? Apo më mirë.. si është parathënë? Fjalët e freskëta  të presidentit Duka  se “ Futboll luhet edhe në kategorinë e parë”,  pale kur theksoi  me mburrje se edhe Vllaznia është provë e gjallë e këtij realiteti, dëshmojnë se ky sistem ndihet më komod , sikur ngjitet më lart në fron kur ..historinë e zbret nga froni!

 Sfidanti.al