Stadiumi “Arena”  më i bukuri në Ballkan, edhe gropat i ka “më të bukurat”!

Ndërsa mbrojtësit e Skënderbeut kishin për të detyrë të ndalonin  shpërthimet plot forcë dhe prepotencë të sulmuesit  madhosh të Tiranës, Ngo, punonjësit e stadiumit të ri, ose më mirë mirëmbajtësit e fushës,  e  “markonin” me sy, me shumë  frikë, sulmuesin një kuintal , i cili  kur peshonte tërë trupin në gjysmën e lodhur të fushës,  dukej sikur po i bënte gropën asaj. Asaj fushe  që dukej si zonjë e bukur… vetëm po  të mos e shkelësh!  Pale kur kujton ditën e inagurimit, kur thuhej se në “Arena”, tifozët  do të ç’armatoseshin  nga një zakon i vjetër:   s’do të hanin më fara! Tani pyetja bëhet ndryshe: po farën  e barit  të fushës së këtij stadiumi, pse  u lejoka  që ta “hajmë”  ?!

Duket si një mallkim, sepse ndodhi tamam me një  stadium që vazhdon të krekoset se në Ballkan ka  Kullën më të lartë, kurse nga ana tjetër , turpërohet  nga gjëja e fundit..fusha!  Dhe më e bukura, futbollistët kanë frikë të ankohen,  sepse sipas “rregullores” ata vetëm duhet të mrekullohen , duhet te bekojnë fatin edhe kur u zhytet këmba thellë në fushë. Aq thellë, sa duket sikur prekin  token e të parëve..Qemal Stafën

Mos vallë është menduar se fusha e keqe mund të jetë  si hudhër për  një stadium që mbahet  me të madhe,  sikur ka ndryshuar historinë tonë po e po, por edhe të Ballkanit. Edhe “doktorët” e barit nuk japin më shpresë jete , madje ndahen mes tyre për diagnozën.  Ka lloj lloj shpjegimesh “shkencore” ku dëgjon të flitet për overdozë lagështire  apo që dielli , ndryshe nga bamirësia  që bënte me “Qemal Stafën”, nuk dërgon rreze në një gjysmë fushe në  “Arena”.  Dhe  meqë fusha po lëngon në një kohë rekord,  o burra t’ia marrim shpirtin me ndeshje Superlige , madje dhe  femrash. Në fillim na futën frikën se   stadiumin do ta ruanin si sytë e ballit, do të luhej rrallë e për mall,   tani duket sikur kanë harruar portat hapur! Saqë  në ndeshjen e fundit, Tirana- Skënderbeu, frika më e madhe  nuk vinte nga loja, por nga pesha e  Ngo-së( shyqyr që nuk ka shumë si ai), ndërsa sulmuesi  i Skënderbeut ,Bregu,  shfaqej  si një etalon për fushën,  me pak peshë dhe më shumë rrëshkitës, aq sa nuk arrinte dot procesin e plugimit. Dhe, sa herë që nga fusha shkëputej  ndonjë llokmë e bëshme fushe,   na kujtohej ajo gënjeshtra e  pakufi  në inagurim : “ Janë të bekuar nga fati, gjithë  futbollistët që do të shkelin fushën e “Arenës”.  Që kanë fat e dimë të gjithë , por futbollistët kanë  frikë ta pranojmë se nuk është i bardhë…

Gezim Sinemati