“Skënderbeu” dhe “Tirana” në garë, cila e luan më bukur rolin e viktimës

Dikush, nga ata që e kuptojnë se shpirti i futbollit nuk mund të vritet me një të rënë bilbili, duhet të frikësohet nga “vrasjet me pagesë”  që po ndizen çdo javë. Pyetet me habi se çfarë ilaçi u kanë dhënë arbitrave, dhe përgjigjen e merr me dozë të shtuar kur vijnë ndeshjet e tjera. Askush nuk ka frikë të gabojë, askush nuk ka ndërmend ta dorëzojë fatin e ndeshjes tek 22 futbollistët, pa i vënë damkën nëpërmjet misionarëve. Ligji i mëkatit nuk është gjetur kërkund, shfaqet tejet sistematik, dhe i cënon të gjithë ekipet, veçse jo të gjithë e hanë kokrrën e ullirit sipas shijes.  Një javë më parë, e pësoi Tirana në Korçë, një javë më pas, Skënderbeu në Kukës. Kanë ndërruar rolet në  filmin me metrazh të gjatë, kur sapo të “vret” njeriu me bilbil,  viktima është e lumtur të thotë: “E prisja. Sa mirë ma bëre!”

Digjet që të shkojë në Europë Tirana, por akoma nuk po gjen adresën e saktë brënda kampionatit,  zhytet e bindur  në një “rivalitet” të telekomanduar larg fushes, ku bardheblutë interpretojnë rolin e viktimës që për ca para borxh, të marrin shpirtin pak e nga pak, dhe të kërcënojnë..ishalla flet me dikë. Nuk dihet se sa qënka borxhi i klubit ndaj Federatës, ajo që dihet me siguri është se Tirana ka shitur edhe të drejtën për t’u rebeluar publikisht. Zëri i saj pas ndeshjes së Korçës, një ndeshje që pati nevojë edhe për serum për të mbajtur gjallë shpirtin e 90 minutëshit, ishte aq i fikur, sa të dukej sikur në fushë nuk ishte ekipi që të gjithë njohim.  Por kjo është fare simbolike, kur kujton se në këto vite, me klubin e zotit Halili, kanë bërë dasmë zyrtarët, janë dehur edhe arbitrat, dhe, ata, bardheblutë, shtiren sikur nuk janë të marrë peng. Kështu po e pëson edhe Skënderbeu kampion, dikur i përkëdhelur dhe i kokolisur me tepri nga zyrat dhe muzikantët e tyre, kurse tani, muzika nuk afrohet fare me serenatën. Madje thonë, kur nëpër zyrat e futbollit luajnë me topa letre ndeshje simbolike, një ritual që  ngjason me hedhjen e fallit, dëgjohen zëra që thonë me shpoti “boll me Skënderbeun, shefi po mendon për një fitues të ri”.  Një frazë që nuk i dihet se deri ku shkon e vërteta,bile duhet të presësh fundin, ngaqë  e ke dëgjuar  edhe në kasetat e viteve të kaluara. Skënderbeu i kanë lidhur këmbët,  ndihet i tradhëtuar nga shefat dhe nga Jemini për penalltinë ekzemplare në Kukës, prapeseprapë, është më mirë të mos flasësh sepse të përgjon “Plaku i Vitit të Ri”, ai sjell lodra për të rritur, ku duhet të gezohesh edhe kur nuk të pëlqen..

Sfidanti. al