Si në filmat  e Hiçkokut, Tirana bën sikur vret veten, dhe vret ..Kukësin!

Vetëm 3 minuta, aq sa është një raund në boks, i kanë mjaftuar Tiranës për të hedhur nokaut kundërshtarin më të keq të saj, Kukësin. Dhe humbja bëhet më e hidhur, fitorja më triumfale, kur ky 3 minutëshi fshihet në fund të ndeshjes. Tamam si  në një film të Alfred Hiçkokut, ku tjetër gjë mendon dhe tjetër ndodh, Tirana në fillim goditi portën e vet me anë të Vangjelit dhe kur të gjithë po mendonin se ishte një “vetëvrasje bardheblu”, ndodhi mrekullia 3 minutëshe! Një mrekulli që dikton pyetjen : kjo që ndodhi ishte një vepër magjike nga ato që kurdis( në bashkëpunim me Zotin)  trajneri Egbo apo ishte një trill i radhës nga ato që Superliga ka me tepri në magazinë ?

Sido që të jetë, Kukësi është ulur në gjunjë, Tirana ka prekur qiellin e shtatë. Apo edhe në të tetin, sidomos kur mendon se një vit më parë kërkonte ndihmë kur po zhytej drejt fundit. Por, jeta ndryshon shpejt, akoma  më shpejt në “xhunglën” e Superligës , atje ku një vit më parë na bënë shiringën  të besonim se nuk kishte ekip më të mirë se Partizani, siç po ndodh këtë herë me Tiranën.  Një Tiranë që nuk ndalet nga hovi, që nuk ka më frikë nga “fantazmat zyrtare” ,madje pret bekimin e tyre ditën kur të mbushi moshën shekullore..100 vjeç!

Sfidanti.al