Si ndryshon talenti i Mavraj nga fusha  tek intervistat ..që mos qofshin!

Kur ishte futbollist, Mishel Platini fitoi 3 “Topa të Artë”  radhazi dhe gazetarët  nuk i numëronin po aq, ngaqë i dhuronin edhe një “top të padukshëm” , të cilin e fitonte jashtë fushës. Pikërisht kur ishte puna për të folur, pra për të dhënë intervista, francezi  konsiderohej nga gazetarët si një kundërshtar finok, që lodronte me fjalët jo më keq se me topin.  Një dhunti që nuk e kanë të gjithë futbollistët, madje shumica  e mallkojnë lojën e folur dhe do të donin që puna e tyre të mbaronte vetëm me ..këmbët.  Një personazh i njohur i Kombëtares, Mërgim Mavraj,  po ta gjurmosh nëpër intervsita, zbulon se nuk është po aq i zoti me fjalët  sa edhe kur shfaqet në fushë.  Nuk ka dyshim, me gjuhën e futbollit të sotëm mund të quhet ngërçi më popullor,  Mavraj ka talent me topin dhe, jo rrallë e humbet atë, sapo fillon loja tjetër, ajo e bezdisura,  me ngacmimet e gazetarëve.

Si atë natë, mu në tokën franceze gjatë Europianit, kur Kombëtarja  po kolovitej në qiellin e shtatë të euforisë, dilte ndonjë gazetar “budalla” që ia shkrepte pyetjes që nuk i pëlqente Mërgimit, sa në  një moment pat thënë: “ Ju gazetarët, pse nuk bëni ndonjë punë tjetër, por veç pyetje sajoni..”.  Vinin nga Franca këto fjalë  dhe mbërrinin krejt të çuditshme në anët tona.Pale kur mendoje se mbrojtesi i shquar këto fjalë nuk mund t’ia thoshte një gazetari gjerman pas një ndeshjeje të Bundesligës, ku ai mund të merrte një pyetje të keqe. Ka rregulla të tjera futbolli ynë,  dhe këtë e vërteton sa herë që çunat kuqezi nuk janë në humor për të shpjeguar çorbën  e fushës. Si atë ditë, kur u mundëm me Izraelin dhe dëgjuam  shpjegimin më spektakolar të kapitullimit pa kushte  se “ ndeshja u humb për faj të policisë”.  Një shpjegim që  mbijetoi për disa muaj, kur vetë futbollisti, i rrëfyer tek Hoxha, paska  treguar se “ në ndeshjen me Izrealin kishte qënë i pamotivuar”.  Vonë, shumë vonë, por shyqyr Zotit që liruam policët nga përgjegjësia e humbjes. Më mirë vonë se kurrë, mbetet një recetë e suksesshme edhe  në lojën tonë, ku e vërteta  del shumë e fortë nga “kazani”, ndaj dhe duhet pritur ca kohë.  Ndërsa në Gjermani është ndryshe, fjalët kërkojnë më shumë kujdes sesa përkëdhelitë me topin. Rasti është i fresket,  sapo Mavraj ka veshur fanellën e një klubi që ka bërë histori në të kaluarën, Hamburgut, dhe fjalët e tij e tejkaluan  orbitën e  realitetit të sotëm : “ Pse pranova këtë ofertë?  Sepse në këtë ekip ka luajtur edhe Bekenbaueri..”

Sfidanti. al