Si do jetë e ardhmja e Skënderbeut? Shihni ku bën fazën përgatitore!

Deri janarin e kaluar, për shumë vite me radhë, skuadra më e fortë e Shqipërisë, Skënderbeu, nuk ngurronte të shpenzonte 200 000 euro për një fazë përgatitore jashtë vendit. Madje, jo në Turqi, në Antalia, si mjaft nga ekipet e tjerë të Superligës, por në Spanjë (ndërsa gjatë verës në Austri).

Këtë herë, gjithçka është ndryshe, dhe 200 000 euro janë shumë për t’u shpenzuar thjesht për 10 ditë apo dy javë. Klubi korçar ka vendosur të mos ketë harxhe të tepërta dhe ka vendosur që lojtarët të ushtrohen në kompleksin e presidentit, në “Tropikal” të Durrësit. Jo se do t’u mungojnë kushtet, përkundrazi, por ndryshimi është kaq radikal, sa nuk mund të mos ndihet. Kjo, tregon në një farë mënyre sesi do të jetë e ardhmja.

Radikal edhe ndryshimi me miqësoret, ndërsa përballjet jashtë vendit ishin me ekipe të njohur, dhe me rezultate tepër të thella negative, ndërsa në fushën e “Tropikalit”, Skënderbeu do të ndeshet me Tiranën, Bylisin dhe Teutën. “Kartagjena ka rënë” për thuajse të gjitha klubet e Superligës, pasi vetëm Partizani e Kukësi do të shkojnë në Antalia për minifazën përgatitore të dimrit.

Sfidanti.al