Shuplaka e Memës: “ Në futbollin e tavolinave, fiton provinca, jo historia”

Deklarata e trajnerit Ardi Mema, nëse do të ishte thënë në ndonjë kampionat me cipë morale, mund të ishte akuzuar për overdozë racizmi, kurse në Superligë, në “xhunglën e mëkatit”..lejohen të gjitha. Fjalët e Memës shpojnë lart dhe poshtë: “ Ndeshjet e kampionatit vendosen nëpër tavolina. Le të kënaqen provincialët”. Në mes të një teatri të madh, ku nuk ka kandar që peshon pazaret e ndeshjeve, Tirana , nga java në javë, po e kupton se është zgjedhur për të qënë..dashi i kurbanit. Ka humbur në Vlorë jo vetëm ndeshjen, por edhe besimin se kjo lojë nuk e gjen dot të vërtetën në fushë, por vetëm nëpër tavolina, ku zaret e ruletit janë hedhur me kohë..
A do të mundet Tirana që të kundërshtojë fatin e kobshëm që po i ndjell regjia hileqare e garës së kampionatit? Ajo që ndodhi këtë javë, e ndez më shumë fantazinë për javët që do të vijnë : Kukësi shkarkon trajnerin Ndreu ngaqe e “zuri gjumi” në stol , tamam në pjesën e dytë, kur futbollistët e tij të “pafajshëm” mbetën pa busull para “Kastriotit” që u ngall!.Sidoqoftë, në filmin e shtirur të javës, rolin më deformues e kishte marrë Partizani, që i vuri vulën,më mirë të themi damkën, se kur bashkohet me ithtarët e ruletit me top, nuk ka frikë as nga turpi, as nga tifozët e tij, mjafton që fundi të jetë i lumtur!

Sfidanti.al