Shqipëria e De Biazit “i ndihmon”  të gjithë, kampione bamirësie!

Sa vite ka që e dëgjojmë këtë muzikë: “ Gabojmë në mbrojtje por do të përmirësohemi..”. Edhe pas ndeshjes miqësore me Bosnjen, Shqipëria e De Biazit, ka prenotuar një humbje të re me zakonin e vjetër, ku mbrojtësit nuk e mbrojnë portën, por e minojnë. Një provë e dështuar edhe për portierin Strakosha, që nisi shumë shpejt t’i japë dhurata të çmuara kundërshtarit, sidomos kur kujton daljen e lajthitur që lindi penalltinë. Një episod që minon paraqitjen e përgjithshme të tij – shkruan shtypi italian, ata që na u imponuan mrekullisht se në ndeshjen e Palermos duhet të ishte pikërisht ai në portë dhe jo Alban Hoxha.  Në kohën e bashkatdhetarit të tyre,trajnerit tonë, Xhanit, edhe analiza e tyre , edhe pse i shohim me syrin e mësuesit, nuk ka qënë gjithnjë me zemër të hapur. Sidoqoftë, futbolli nuk është sporti i dashurisë së përhershme, ndaj edhe për shfaqjen e dështuar me Bosnjen e Xhekos, kuqezinjtë kanë merituar këtë koment injorues: “ Çdo sulm i Bosnjes shndërrohej në një rrezik për të zotët e shtëpisë”. A mundet vetëm Hysaj, që këtë herë dukej sikur të ishte Barezi në krahasim me shokët e tij, të cilët ishin futur në një garë pasigurie, aq sa nuk mund t’i besosh të gjitha për..gabime njerëzore.

“Ne gabojmë kot fare” – gjen kurajën futbollisti i ri Llullaku pas ndeshjes. Profesori i tij italian, as nuk diskutohet, ka një lexim tejet  optimist, bile të pashpjegueshëm, nga ata që na kanë mbajtur gjallë frymën: “ Edhe mund ta kishim fituar këtë takim me Bosnjen”. Një Zot e di se si mund ta kishim fituar këtë ndeshje, por edhe sikur të kishte ndodhur “magjia e zezë”, trajneri, ka 100 arsye për të shpjeguar ndershëm pse ekipi i tij , pak nga pak, po e humbet pasaportën europiane. Dhe në këto momente delikate, pyetja më pikante nuk është “ do të mbetet apo jo De Biazi në stolin e ekipit”,  por a do t’i mbetet pak nder dhe moral ekipit, që kishte premtuar se këtë sezon do t’i tregonte botës se në Francë nuk kishim hyrë me marifete e dredhira..

Sfidanti.al