“Selman Stërmasi” nën ujë, Tirana – Flamurtari si ndeshje për t’u hequr qafe

Cila ishte arsyeja, pse ndeshja Tirana – Flamurtari, e vlefshme për fazën 1/8 të Kupës së Shqipërisë, u konsiderua më e rëndësishmja e kësaj mesjave? Këtë rradhë nuk ka të bëjë aspak historia e të dy klubeve, thjeshtë kanë ndikuar hallet e tyre të mëdha, që janë edhe të ngjashme. Për ndjekësit e mbetur të futbollit të vendit ishte me interes të ndiqnin, se çfarë mund të bënin këto dy skuadra në kompeticionin që mund t’i shpëtojë sezonin. Në fakt, për të qenë korrektë, duhet thënë se nuk ishte tamam interes, por kuriozitet, pra jo aq sa për të shkuar në stadium. Ndërsa ajo që u pa, për aq minuta sa u luajt ishte befasuese. Drejtuesit e dy prej ekipeve më të mëdha të vendit lejuan që të fillonte një ndeshje që nuk mund të luhej në atë terren, pothuajse i gjithi nën ujë. Njerëzit e pakët të shkallëve ishin të bindur se takimi nuk kishte asnjë shans të përfundonte, ndërsa “hallexhinjtë”, as që protestuan tek zyrtarët e paaftë, të cilët thjeshtë donin të hiqnin qafe një tjetër 90 minutësh, siç po bëjnë me të gjithë sezonin.
Dhe kishin të drejtë ata të shkallëve, pikërisht ata që u lagën pa asnjë arsye. Ndjeshja Tirana – Flamurtari u ndërpre në minutën e 25-të, ndërsa reagimet që pasuan ishin grimca humoristike për një publik më të gjerë, që nuk u lag, por e konsumoi kohën e vet përpara ekranit të televizorit. Shefit të garave në FSHF iu deshën vetëm pak minuta për të vendosur, që pjesa e mbetur e ndeshjes të luhen një ditë më pas, ndërsa takimi për kampionat midis Teutës dhe Flamurtarit do të spostohet për të djelën. Ndërkohë që as e vrau mendjen, që për tri minuta përpara mikrofonit bëri lëmsh programin stërvitor të Ilir Dajës, por edhe të Blendi Shkëmbit që nuk e pyeti askush. Ardi Behari kishte problemin e parave të grumbullimit, ndërsa në serinë e dytë të ndeshjes që do të fillojë sot në 13:00, Ardi Memës do t’i mungojnë 25 minuta, që me specifikën e kupës janë shumë. Ndërsa arbitri nxitoi të vërshëllente një penallti shumë të diskutueshme, të cilën specialistët e klasifikuan sërish si gabim njerëzor, i ndikuar edhe nga terreni, por nuk denjoi që përpara se të vërshëllente fillimin e takimit, të bënte ritin e zakonshëm në raste të tilla… të hidhte topin në pjesë të ndryshme të fushën, për të parë nëse do të reagonte. Por ne me këtë futboll jetojmë, ku gjithçka është e zakonshme…