Prapë Izraeli para syve ? Shorti lodron me kujtimet që ligështojnë..

Cilin të ndjell  më shumë, trajneri Panuçi kur  kujdeset për të  vrarë  modestinë dhe thotë se Shqipëria, Skocia dhe Izraeli janë tre ekipe shumë të forta që do të thyejnë kokat në grupin e Ligës së Kombeve apo ish-trajnerin, De Biazi, i cili edhe pse pa ekip, vetpunësohet në fushatën për president, duke tundur portretin e presidentit Duka. Mirëpo, kur shikon Izraelin në grupin tonë, sepse të tundon fakti se De Biazi ka patur edhe një fytyrë tjetër, atë pa maskë,  pas humbjes flakëruese në Tiranë me 3 gola. Humbja më spikatur për nga morali, nga ato lloj ndeshjesh që nuk të shqiten për trillin special, pasi terrorin e kërkuam jashtë stadiumit dhe na “plasi” brënda në fushë…gjatë ndeshjes.  Si mund të harrohet edhe gjesti “rebelues” i italianit kur i hoqi bravën portës sonë , duke larguar Hysajn nga fusha për ta bërë edhe më pikante tredhjen e asaj dite..

Panuçi nuk është De Biazi dhe meriton të ketë një fat tjetër, pale kur mendon se ndryshon nga Xhani në stilin e komunikimit, më shumë në brumin  e lojës.  Për aq sa kemi parë, na gënjen mëndja se e kemi shitur autobuzin që parkonim në portë,  dhe kemi blerë një tjetër që shkon deri nga ..porta tjetër. Panuçi, sapo ka mësuar emrat e Skocisë dhe Izrealit, ka thënë se do të synojmë vendin e parë që të shkojmë përpara me më shumë kurajo. Sido që ta kishte emrin trajneri, edher sikur mos ishte Italian, kur hidhet shorti, sikur na ngopet shpirti me këtë përrallën e vendit të parë.  Fundja më mirë një e pavërtetë që na e kërkon organizmi, por të paktën lidhet me lojën, me futbollin, se sa me të pavërtetat e paskrupullta që po dëgjojmë gjatë fushatës për të gjetur “bomberin e madh” , atë që shpesh shënon nga tribuna.

 

Sfidanti.al