Poshtë Muzaka, rroftë Muzaka! Kur nga “pacienti” del heroi…

Nga mbiu ky Gjergj Muzaka ? Shumë tifozë as nuk e kishin parë se si ishte futur në fushë, në majë të gishtave si “hajdut”, apo na kapi në gjumë ngaqë loja, në ato momente, kishte efektin e një valiumi. Sido që të jetë e vërteta, goli i Muzakës nuk ishte i zakonshëm, madje miklues, një vepër e përbashkët arti midis sulmuesit dhe portjeri Hoxha, ku secili e ka të ndaluar të thotë se ..ndodhi vetëm për meritën time! I bekuar qoftë edhe në atë mënyrë si erdhi, sidomos kur kujton skenarin me të cilin tundim djepin e iluzioneve para ndeshjeve, sikur fituesi do të dalë nga logjika e një beteje taktike, apo nga përballja e talenteve që do të prinin spektaklin. Dhe as nuk e çonim nëpër mend se një i paftuar nga stoli, do të vidhte historinë modeste të kësaj ndeshjeje.. vetëm në një episod. Dhe ai episod mund të përcaktohet si momenti kufitar, ku loja e kapur në ngërç nga presioni dhe frika për të mos humbur , çliroi gazrat tamam si një tapë që shkulet nga shishja e verës…
Dhe ashtu si vera që nuk shijohet qysh në sekondat e para, edhe goli i Muzakës, në fillim pati shije të keqe për tifozët e Partizanit, që mallkuan me sharrje të pamerituara, një ish dashuri të vjetër. Edhe më të tradhëtuar akoma, kur ndodh truku i hershëm, që ish-i i tyre futet si “pacient” në fushë me një këmbë të vrarë dhe del nga loja si hero ..me më shumë se dy këmbë! Apo kur thonë se paska qënë një hile e trajnerit Shehi që e mbajti në stol për kohën më të madhe, që të futej në një moment dhe t’u prishte gjumin të gjithëve. Jo vetëm Partizanit, siç tha trajneri Gega se “ tanët po flinim në atë moment” , por edhe vetë Skënderbeut që iu prishën planet për një barazim dinjitoz..

Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport