Po zbuluat fundin e  Derbit, tamam sikur të rrëzosh monumentin e tij..

A mund të parashikohet ndeshja Derbi? Vite më parë, kur graviteti i kryendeshjes ishte në fushë, dhe jo në shkallët e stadiumit ku ndizen tifozeritë, askush nuk guxonte t’i binte kambanës për të zbuluar fituesin e ndeshjes. Edhe në kohën e “mbretërve” Panajot  Pano dhe Ali Mema , kur përballeshin Partizani dhe 17 Nëntori, kishte një rregull të pashkruar, një pakt  i “firmosur” nga të dyja palët, sipas të cilit derbi nuk mund të luhet me fjalë, por veç me vepra. Por, kohët kanë ndryshuar aq ndjeshëm, zakonet e futbollit janë varfëruar në vlera, sa edhe derbi mund të tregohet si një film, që e ke parë disa herë..

I madhi Perlat Musta, në kohën e artë të talentit që sundonte portën, nuk do të guxonte kurrë të cënonte “ligjin” e Derbit, duke parashikuar se Partizani do të fitonte duelin më të pabesë të kampionatit. Kurse në kohën e sotme, veterani Musta nuk ka frikë kur shkel  “ligjin e derbit” derisa thotë: “ Ndeshjen e fiton Partizani”. Por, ç‘do të thuhej për ish-kapitenin e Tiranës, Nevil Dede, kur në një intervistë na e jep llokum  thelbin e ngjarjes zhurmëmadhe, ku Tirana e  fitoka betejën   jo me një gol apo me dy gola, se nuk mjaftojnë, por me 3 gola! Si ka mundësi kjo “blasfemi parashikuese” kur historia e kohëve të fundit flet vetëm për Partizanin!? Le të lutemi, që lumi i parashikimeve të mos dalë nga shtrati dhe të brofi  dikush në orët e mbetura sa  të na tregojë edhe emrat e atyre që do t’i shënojnë golat…

Sfidanti. al