Përse fantazma e dyshimit ka preferuar të përndjekë  vetëm Vllazninë

Treni i dyshimit në Superligë  nuk ndalet dot  dhe në javët e fundit të kampionatit të gjithë merakosen që ta furnizojne me karburant të cilësisë së zgjedhur.  Ka disa javë që është zbukuruar në lojë Vllaznia, dhe kjo, prapëseprapë,  nuk mjafton për ta shpëtuar nga përndjekja e fantazmës së dyshimit.  Kur do të luante në Kukës, disa e ndiqnin nga afër, të tjerë e gjurmonin me dylbi, duke pritur që të ndodhte “mrekullia e tradhëtisë”,  sipas së cilës ekipi i Kukësit  s’kish arsye pse të merakosej për fundin  e lumtur.. Ajo që ndodhi, prapë, nuk është se i kënaqi të gjithë. Disa i vunë kurorën e nderit shkodranëve, disa të tjerë u habitën se si ekipi i Cungut  guxoi të prishte planet e ekipit verior për titullin, aq sa nuk e mbajtën dot të keqen duke thënë: “ Vllaznia po luan rolin e vrasësit me pagesë..”

Edhe kur do të luante me Partizanin, pikërisht në Shkodër, si për çudi, në vend që të ndiqej me lakmi loja kolektive e një grupi  biologjik futbollistësh,  sundonte dyshimi se do ta dorëzonin “portën e Rozafës” pa bërë luftën ideale.  Duke qënë klientë të rregullt një treni dyshimi, me të cilin të gjithë bëjmë xhirro, besuam  padrejtësisht se me Partizanin,  do të shikonim një Vllazni tjetër, më pak keqbërëse dhe më shumë bamirëse në fushë. Madje për të përforcuar bindjen,  pickohej edhe një fakt nga e kaluara: do të luanin me zemër në dorë, si dikur me Skënderbeun në Shkodër. Ajo që ndodhi, ishte më shumë se e bukur.  Vllaznia e pabesë , duke dribluar edhe skedinën e dyshimit, ka rrezikuar deri në frymën e fundit të ndeshjes me “demat”. Aq sa Partizani, pas ndeshjes, vetëm sa u qa për arbitrin Meta, por, për hir të së drejtës që predikon, mund të kishte  gjetur forcën për të thënë : “ Sa më shumë  përgojohet Vllaznia, aq më  pisk  do ta kenë kundërshtarët në fushë”.

Në këto momente,  treni i dyshimit ka mbërritur në Vlorë sepse Flamutari,  viktima e përzgjedhur nga krerët për t’u vrarë në fund të filmit, do të ketë përballë Vllazninë e Cungut.  Një rast i bukur për të frymëzuar gojët e liga, që thonë se nuk iu dhanë Kukësit, nuk iu dhanë Partizanit, por..e paskan lënë që të ngrenë flamurin e bardhë në qytetin e flamurit të kuq.Edhe pse Shkodranët betohen në kor para ndeshjes se “ do të luajmë për vete dhe jo për Flamurtarin”,  pjesa tjetër bënë punën e saj duke mbyllur veshët  dhe me sytë katër nga ajo që do të ndodhë në Vlorë..

Sfidanti.al