Partizani i kërkon “demat”në futboll, i gjen tek femrat e volejbollit!

Ka jetë edhe përtej futbollit –   është një shprehje e njohur e drejtuesit të emisionit  “Procesi Sportiv”, Edi Manushi.  Është një frazë që përdoret si autokritikë për dozimin e skajshëm të medias me futboll-maninë, duke harruar sportet e tjera. Dhe cilat sporte?  Nëse ka një sport që mund t’i thotë futbollit se shprehja e delirit “ o sa mirë me qenë shqiptar” ka lindur më parë në një tokë tjetër, ku topi është përsëri mes palëve, por nuk goditet më këmbë, por me dorë. Ky është volejbolli, për të cilin, sipas zakonit hileqar , e bekojmë vetëm në ditët e mëdha,  kur luhet për trofe. Si në rastin e feskët të finales për femra Partizani me Barletin, një finale që e bën të vërtetë atë shprehjen që nisi si me humor se “ ka jetë edhe përtej futbollit”.

Partizani i trajnerit stoik, Roland Tare, i ka kthyer në një mënyrë tjetër lavdinë triumfuese klubit , që historikisht pat devejuar nga misioni per të cilin lindi. Ka mundur me përmbysje Barletën, duke i dhënë fund një “pushteti” sportiv të vendosur prej vitesh nga kundershtari, por ka rilindur besimin se fituesit nuk duhen kërkuar vetëm në fushën e futbollit. Vajzat ishin “demat” e vërtetë  të sezonit, një kolektiv që me harmoninë dhe pasionin krijuan një histori triumfi.Një histori me theks ironik jo vetëm për rivalët, por edhe për kundërshtarët në shije. Edhe për ata që  gjuetinë e “demave” e lokalizojnë  në fushën e futbollit,  disi të verbuar nga hipokrizia, sa edhe kur Partizani përflaket me 4 gola në Kukës, kapen pas përrallës  qe mbaron bukur : “Demat” do ta fitojnë kampionatin sezonin e ardhshëm”

Sfidanti.al