Panuçi, arsye për të shpikur një tjetër dekoratë për De Biazin

Ndeshja Shqipëri – Norvegji nuk ishte fare pa gjë, pavarësisht se në mbrëmjen e fundit të Elbasanit, nuk mundëm të kishim në fushë një skuadër të mirfilltë futbolli. Panuçi na ka bërë aq pak Kombëtare, saqë shqiptarëve gjithnjë e më shumë i shtohet dashuria për De Biazin. Xhani mori në këtë vend gjithçka që mund të të ofrojnë, nga stimujt sportivë, tek dekoratat e larta shtërore, duke përfunduar tek titujt akademikë. Përpara se të përfundonte aventurën e çmendur, që edhe horoskopi ia solli vetëm në moshën 60-vjeçare, i dhanë të drejtën të votonte në një nga lagjet e Tiranës. Ndërsa fundi ishte tipik shqiptar… besoi se ishte ai që na çoi në fazën finale të Europianit të Francës dhe e hoqën si mosmirënjohës. Dhe që pas ushtrimit të të drejtës së votës, De Biazi është parë në publik, vetëm kur pritej që Duka të zgjidhej për të pestën herë në krye të FSHF-së, madje bëri thirrje ta votojnë njeriun që duket se e mban ende në listë pritje. Ndërsa për të gjetur një tjetër skuadër për të qenë e ka pasur të pamundur, nëse nuk do të merret në konsideratë presidenti eksentrik i Palermos, i cili sa herë humbet skuadra e tij, i ofron pankinën. Ndërsa Panuçi ia zvogëloi të gjitha dekoratat tona bujare, pasi me atë që po ofron në krye të përfaqësuesve tanë, paraardhësi duket se meriton një përmendore pikërisht tek “Xhamlliku”, aty ku kontribuoi për të zgjedhur edhe udhëheqësit tanë politikë.

Në fakt, gjatë të gjithë qëndimit të tij në krye të Kombëtares, De Biazi tregoi se kishte punuar me skuadra të vogla dhe e njihte mjaftueshëm mentalitetin e tyre. Ndërtoi një ekip robust, jo shumë të pashëm, por që u bë ekzistencial në arenën ndërkombëtare, Por kaq ishte e mjaftueshme vetëm për të rritur disi adrenalinën tonë, ndërsa për të bërë hapin e madh, sigurisht që nevojitej edhe një investim ekstra nën banak nga shefat e tij. Ndërsa pretendimet delirante, për të qenë trajner i Anglisë, Spanjës, apo Italisë që besonte edhe më fort, ishin thjesht fundi i një periudhe arrogance që e kishte pushtuar, madje e kishte bërë të bezdisshëm. Ndërsa Panuçi, ndoshta ende duhet të ishte në bankat e shkollës, për t’u diplomuar në profesionin e ri. Po përpiqet të ndërtojë diçka tijën, madje po nxitohet të bëjë ndryshime që nuk janë as të nevojshme. Madje, veç të tjerave, ndryshe edhe nga tekniku tjetër Italian, ky i tanishmi po tenton t’i ngjisë shkallët nga tre apo katër njëherazi dhe ky mision I pamundur e ka bërë arrogant që në minutat e para, pa pritur të djegë etapat si De Biazi. Kështu, nëse vazhdon me këtë strategji, ka shumë mundësi që Kristiani të mos jetë një nga ata të huajtë që s’do ta kemi shumë xhan, nuk do të marrë dekorata dhe nuk do të bëhet asnjëherë shqiptar. Të gjitha këto do të thonë, se nuk do ta ketë më privilegjin të votojë as tek “Xhamlliku” dhe as tek “Brryli”, madje nuk do të përfitojë as nga fondi i emergjencës i FSHF-së, që të çon në evente të rëndësishme dhe më pas të bën trajner “të madh”… Ndërsa ne nuk do të kemi as Kombëtaren që kishim.