Në kërkim të shoqatës, futbollistët si “çifuti në shkretëtirë”

Natyrisht, nuk donim të përdornim një fjalë që përdoret si fyese për hebrenjtë, por është thjesht një batutë filmi shqiptar, i cili i shkon shumë për shtat gjendjes së një pjese të futbollistëve në Shqipëri. Më të “truarit”, ata të Kamzës, klub që u përjashtua nga aktiviteti për shkak të dhunës ndaj arbitrit (ndonëse në 2011, kur këtë dhunë e bëri Laçi, nuk pati përjashtim).

Ata jo vetëm që nuk ishin paguar derisa erdhi përjashtimi, por më pas mbetën edhe pa para, edhe pa aktivizim, pra “larg syve, larg zemrës”. Shumë prej tyre kanë karrierën në rrezik, padyshim periudha e gjatë jashtë fushe i detyron t’i ulin pretendimet financiare ndaj klubeve ku mund të shkojnë, ndërsa familjet e tyre kanë kaluar e po kalojnë një stres të madh. Njëri prej tyre tregon se i shkruajti presidentit të Federatës, Duka, dhe nuk mori përgjigje.

Së fundi, ka një lajm të mirë për lojtarët, ndonëse këta do të duhet të bëjnë një rrugë të gjatë. Pritet të krijohet Shoqata e Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë, me nismëtar Andi Lilën, lojtarin e kombëtares, si dhe të tjerë si Tefik Osmani apo Sebino Plaku. Kjo shoqatë kërkon 300 firma, dhe pasi të legalizohet do të jetë sindikata e futbollistëve, në mënyrë që ata të mos nënshkruajnë kontrata me sy mbyllur, dhe të kenë një mbështetje, pra të mos jenë “si çifuti në shkretëtirë”.

Sfidanti.al